“ Kristaq Dishnica vdiq në lulen e trimërisë, 23 vjeç, pas një sëmundje prej dy muajsh. I ndjeri erdhi në Amerikë para dy vitesh e tëhu e punonte në Marlboro, Mass. Ishte shumë i dashur me shokët e tij dhe të gjithëve u vajtoj zemra kur mësuan lajmin e zi. Varrimi u bë më 26 gusht, ditën e hënë në Worcester, në orën 4 - 5 pas dreke. Nëntë karroca prej Hudson-it dhe tetë prej Worcester-it i vajtën pas gjer në varr dhe nëntë kurora nga miqtë dhe shokët e stolisën qivurin e tij”. Constandin A. Demo në librin e tij “Shqiptarët në Amerikë”, botuar në Boston më 1960, shkruan se kisha greke jo vetëm që refuzoi të varrosë të vdekurin, por bëri propagandë dhe nëpër kishat ortodokse të kombësive të tjera që të mos e varrosnin të ndjerin. Në librin mbi 50 vjetorin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, përmbledhur nga Fan Noli, botuar në Boston më 1958 lexojmë: “Orvatjet për të siguruar një prift ortodoks për shërbimet e funeralit për Dishnicën qenë të kota. Prifti grek refuzoi të shërbente duke nxjerrë si pretekst se i ndjeri kish qenë një patriot shqiptar dhe si i tillë ishte automatikisht i përjashtuar nga kisha...”. Shoqëritë e Natick-ut, Hudson-it dhe Marlboro-s sërish vihen në veprim. Në një mbledhje të mbajtur në Hudson, më 17 nëntor 1907, ato morën vendime me rëndësi: që brenda tri javësh kryepleqësitë e tri shoqërive “do të mejtohen” të zgjedhin një prift shqiptar dhe pas tri javësh të tri shoqëritë në Natick do të lajmërojnë për priftin që kanë zgjedhur. Nëse paraqiten për prift më shumë se një shqiptar, ai do të zgjidhet me vota dhe pasi ai të zgjidhet do të përkufizohet rroga e tij me kontratë “sipas fuqisë së shqiptarëve”. Nënshkrues të pleqësive janë: Nikolla Dishnica, Naçi K. Katundi, Kozma Angel, Andrea Dimitri, P. Kosta, Toma Kondi dhe Andrea Vangjel. Teksti i plotë - i botuar në libër NË KËTË KAPITULL MUND TË LEXONI: |
|||