Intervistë me publicistin e sociologun Dr. Andon Dede Andon Dede, publicist, “Doktor i shkencave” në Sociologji. Ka punuar për shumë vjet si gazetar në Radiotelevizionin Shqiptar e në organe të tjera të shtypit. Në vitet 1983-1990 punoi si bashkëpunëtor shkencor në sektorin e Botimeve të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste dhe më pas, deri më 1995, në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Tani jeton dhe punon në New York. Pyetje: Ju njohim si publicist e si autor i një sërë shkrimeve pas shëmbjes së diktaturës, që janë pritur mirë nga lexuesit e kanë pasur edhe jehonë në shtyp. Por, njëkohësisht, keni punuar edhe si bashkëpuntor shkencor në Insitutin e Studimeve Marksiste-Leniniste që është përfolur aq shumë këto dhjetë vjetët e fundit. Për këtë, në shtyp, nuk kanë munguar edhe reagimet negative ndaj jush, duke ju akuzuar edhe si bukëshkalë. Ç’mund të na thoni për gjithë këto? Përgjigje: Po e nis nga pjesa e dytë e pyetjes tuaj. Po, është e vërtetë që kam punuar në atë institut, në sektorin e botimeve dhe për këtë nuk ndjej as më të voglën vrarje ndërgjegjeje. Siç do ta shtjelloj më poshtë, aty nuk ka asnjë kontradiktë. Nuk jeni i pari që po shprehni habi për këtë fakt. Kur u prezantova së pari me zotin Elez Biberaj, shefin e sektorit të emisioneve shqip në “Zërin e Amerikës”, edhe ai, kur mori vesh se kisha punuar atje, shprehu të njëjtën habi. “Mua më morën atje siç merret mushka në dasmë”, - i thashë zotit Biberaj, krahasim që atij i pëlqeu shumë e qeshi me të madhe. Mua më morën në atë institut thjesht se u duhesha, për redaktimin apo përgatitjen për botim të veprave të Enver Hoxhës. Mos vallë duhet të kundërshtoja, kur m’u bë propozimi për të punuar në atë sektor? Vetëm ndonjë naiv apo dashakeqës mund të flasë kështu tani. A thua se qënia apo mosqënia ime në atë institut ndikonte sadopak në zgjatjen e jetës së diktaturës apo përshpejtimin e shëmbjes së saj? Absolutisht jo! Do të tregohesha donkishot po të ushqeja një iluzion të tillë. Të gjithë duhet ta bënim një punë. Mua më ra fati të punoj atje dhe asgjë më shumë. Ishte thjesht një mënyrë mbijetese. Në atë sistem, dihet, si në çdo diktaturë, nuk mund as ta zgjidhje punën e as të tregoje vlerat e personalitetit tënd. Ishim të tërë të dyzuar. Mbas vendosjes së pluralizmit, po, ndryshonte puna: fakti që mund të shkruanim ç’mendonim, po na mrekullonte. Ndjeheshim si të dehur nga gëzimi e nga euforia që na kishte kapur. Vetëm kush e ka provuar mund ta kuptojë atë gjendje që po përjetonim ne. Të heshtje tashmë për ato që ndjeje e mendoje, do të qe krim. Siç shihet, pra, në mes dy dukurive të mësipërme që përmendët ju për mua, jo vetëm që nuk ekziston kurrfarë kontradikte, por, në të kundërtën, ka një koherencë të plotë. Teksti i plotë - i botuar në libër NË KËTË KAPITULL MUND TË LEXONI: |
|||