Fakte e data historike në historinë e
shqiptarëve të Amerikës
“ Kombi” pushoi botimin më 10 janar 1909. Gazeta shkruan se kur ajo filloi të botohej, në Amerikës kishte shtatë mijë shqiptarë. Efthim Natsi (Thoma Nassi) , që në fillim dhe deri në mbyllje të gazetës “Kombi” ishte dora e djathtë e Sotir Pecit. Në fakt, Sotir Peci s’mund të kishte filluar gazetë pa Efthim Natsin dhe Efthim Natsi s’mund të kish nisur gazetë pa Sotir Pecin. Në numrin 7 të gazetës “Kombi” botohet kryeartikulli i parë i Fan Nolit “Detyra e parë” i nënshkruar me pseudonimin “Ali Baba Qyteza”. Noli erdhi në SHBA nga Misiri tamam kur doli gazeta “Kombi”. Më 6 janar 1907 në Boston u themelua shoqëria kombëtare “Besa - Besën” prej një grupi patriotësh më të shumtit nga rrethi i Korçës. Zyrtarët e parë të shoqërisë ishin: kryetar, Fan S. Noli, nënkryetar Goni Katundi, arkatar Angelo Stefanson (Katundi), sekretar Nini Fani Katundi. Pleqësia përbëhej nga: John Gjoka, Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Konomi dhe Lambi Josifi. Shumica e zyrtarëve ishin nga Katundi. Pesë vjet më vonë kjo organizatë me disa shoqëri të tjera themeluan Federatën Pan Shqiptare “Vatra”. Gazeta “Dielli” u themelua më 15 shkurt 1909 nga shoqëria “Besa - Besën” si gazetë e përjavshme, 36 ditë pas mbylljes së gazetës “Kombi”. Më 1912 gazeta filloi të botohej nga Federata “Vatra”. Gjatë disa viteve “Dielli” doli dy herë në javë, tri herë në javë dhe gjatë disa viteve edhe për çdo ditë. Autori i programit ishte Fan Noli, themelues dhe redaktor i “Dielli”-t, i cili qëndroi në këtë pozitë deri në tetor të vitit 1909 kur erdhi Faik Konica në Amerikë. Programi i gazetës që për kryefjalë kishte fjalët “Shqipëria për shqipëtarët”, ishte “një trumpetë që fton imigrantin shqiptar analfabet të armatoset dhe të shpëtonjë vendin e tij lindor nga robëri e huaj...”. Teksti i plotë - i botuar në libër |
|||