Në vizitë Asim e Dita Jakovës Ishte viti 1901 kur Katerina Cilka dhe zonjusha Ellen Stone, misionare e njohur amerikane në Ballkan, u rrëmbyen dhe u mbajtën peng për gjashtë muaj nga një bandë maqedone. Babai i Ditës, Gregor Cilka, kishte kryer shkollimin në “New York City Union Seminary”, ndërsa nëna e saj, me kombësi bullgare, po në këtë qytet kreu shkollën për infermiere në “Presbyterian Hospital’s School of Nursing”. Aty, në New York, u njohën dhe më vonë u martuan. Grigor Cilka predikonte në Korçë në një kishë të vogël protestane dhe, njëkohësisht, jepte mësim në shkollën e vetme të femrave të këtij qyteti. Çifti Cilka parashikonte ta vazhdonte misionin fetar, por jeta e bashkëshortëve nuk doli siç e patën menduar. -Ellen Stone që kishte shërbyer rreth 20 vjet si misionare në Bullgari e Shqipëri, sapo kishte kryer predikimet biblike në Bansko të Bullgarisë. Po bëhej gati të largohej prej andej, e shoqëruar në një pjesë të rrugës nga prindërit e mi, disa miq dhe tre persona të armatosur, - tregon Dita. - Një ditë para nisjes së saj, kryeprifti i atij vendi dha një koktej lamtumire. Misionares së moshuar i dhanë me vete një shportë me fruta, mjaltë dhe ushqime të tjera. Pas një copë rruge, grupi që numëronte 19 vetë, u ndal për një pushim të shkurtër rrëzë maleve me borë të Pirinit. Befas u shfaq një grup prej pesëdhjetë vetësh. Ishin ata, komitët, të cilët do t’u sillnin më vonë gjithë të zezat, si nënës sime, ashtu dhe misionares amerikane, - tha Dita. Katerina Cilka ka lënë një dorëshkrim ku përshkruan ata gjashtë muajt e tmerrshëm. Ja si e ka dhënë çastin, kur ranë në duart e rrëmbyesve. “ Komitët na çuan lart në një shesh, larg rrugës. Një pjesë e tyre ruanin me pushkë, të tjerët hapnin shportat dhe hanin ushqimet. Ata ishin mjaft të uritur. Pas një kohe u dëgjua një krismë pushke nga ana e rrugës dhe të gjithë kthyem kokën andej. Pas pak pamë një burrë me fytyrë të gjakosur dhe duar të lidhura që po afrohej, i ndjekur nga një komit. Kur sulmuan komitët, ai ishte fshehur dhe ishte përpjekur të largohej, por njëri prej tyre e kishte vënë re dhe e kishte ndjekur, duke i thënë që të kthehej. Burri kishte nxjerrë koburen dhe kishte shtënë mbi komitin, por nuk e kishte qëlluar. Komiti e kishte arritur, e kishte qëlluar me tytën e pushkës në kokë, e kishte rrëzuar për tokë dhe e kishte lidhur. Komiti bisedoi diçka me tre shokët e tij, pastaj ata iu afruan burrit, e shtrinë në tokë përmbys dhe e vranë me thika. Ne u tmerruam. Disa nga gratë ranë pa ndjenja. Dikush tha se tani do të na vrisnin të gjithëve. Më vonë, njëri nga komitët na tregoi se ai ishte spiun dhe ata e kërkonin prej kohe që ta vrisnin. Dënimet me vdekje ata i ekzekutonin gjithmonë 4 – 5 vetë së bashku, me qëllim që të hiqnin përgjegjësinë personale për vrasjen dhe që vrasja të mos rëndonte vetëm në ndërgjegjen e njërit”. Teksti i plotë - i botuar në libër NË KËTË KAPITULL MUND TË LEXONI: |
|||