Kur profesioni dhe pasioni ecin së bashku Gjatë kohës që ishte në “PNC Bank”, në New York e Pittsburgh, Turhani një pjesë të mirë të kohës së punës e kaloi në shtete të ndryshme të botës si drejtues i ekipit, që kishte angazhuar banka për t’u dhënë kredi kompanive. Më 1970 ai ishte edhe në Kosovë. Bankës së Kosovës, Kombinatit “Trepça” e “Agrokosova” u dha miliona dollarë kredi. Më vonë ai shkoi atje edhe disa herë të tjera. Me të njejtën detyrë ai ka qenë edhe në disa shtete të Evropës, të Afrikës, të Lindjes së Mesme. Ka qenë gjithkund, edhe në Shkup, Beograd, Lubjanë e Zagreb. Një kuriozitet tepër i veçantë: ngado që shkonte, nuk harronte të merrte me vete edhe pajisjet e mjetet e peshkimit. Kur i dilte kohë e lirë, pas biznesit, i pyeste partnerët: “Cilin lumë keni më afër për të peshkuar?” Dhe ata, tepër të interesuar për t’ia bërë qëndrimin sa më të këndshëm, meqë veç të tjerash ia kishin nevojën, e çonin nga një lumë në tjetrin, apo nga një breg në tjetrin, ku Turhani kalonte orë të tëra nën emocionet e këndshme të peshkimit. Ai flet plot pasion e me hollësi për këtë sport magjik, tregon se si e ndjek lojën e peshkut me grepin, si e përjeton momentin kur peshku e çukit atë e si e nxjerr më pas “gjahun” në breg. Peshkimi i shërbente si çlodhje nga ngarkesa e rëndë e punëve të përditshme e të mundimshme bankare. Për shumë vetë peshkimi është biznes, mjet për të siguruar ekzistencën. Për Turhanin ky është sport, pa të cilin ai s’mund të jetojë. Atij i lindi ky pasion në moshën 14 vjeç dhe e ka ndihmuar, siç thotë ai, “të jetë më afër jetës dhe Zotit”. E filloi në Virgina dhe fati e solli që ta vazhdojë në shumë lumenj të botës, një privilegj i rrallë ky që nuk i jepet kujtdo. - Ky është një lloj peshkimi me insekte artificiale, të cilat janë shumë të ngjashme me ato që vegjetojnë në thellësitë e lumit. Kur trofta e shikon këtë lloj insekti artificial në lëvizje, shpejton pas tij për ta ngrënë. Insekti e ka trupin metalik të mbuluar me qime e pupla të vogla. Peshku, e pandeh atë si insekt dhe bie në “grackë”. Sa e nxjerr, e hedh prapë në lumë, - thotë Turhani. E hidhni përsërin në lumë? - e ndërpreva unë i habitur, por edhe duke dyshuar se mos nuk e dëgjova mirë. Po, sigurisht. Unë ju thashë që peshkoj thjesht për sport, për kënaqësi. Teksti i plotë - i botuar në libër NË KËTË KAPITULL MUND TË LEXONI: |
|||