| Njeriu nuk mund të trembet nga pasioni i vet Rrok Camaj - pastrues i dritareve në katin 107 të Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë
Njeriu për të cilin shkruhen këta rreshta, për nga profesioni është i jashtëzakonshëm. Rrok Camaj, nga Sukrugji i Malësisë së Mbishkodrës, që nga viti 1975 pastron xhamat e jashtëm të dritareve të Qendrës Botërore të Tregtisë (World Trade Center), në New York. Për ta bërë këtë punë, atij i vjen në ndihmë makina e madhe automatike që komandohet nga kulmi i ndërtesës. Ajo arrin nga kati i sipërm, deri në katin e nëntë dhe kthehet lart për gjysmë ore. Vetëm katin e 107-të të ndërtesës, makina nuk mund ta pastrojë për shkak të përmasave të xhamave. Ata janë më të mëdha se xhamat e kateve të tjera dhe vetëm Rrok Camaj dhe ndihmësi i tij, Jimmy Meehan, mund t’ua heqin blozën “binjakeve” tri herë në vit. Në një proces pune, që zgjat çdo herë nga dy javë, ata i pastrojnë me dorë 516 xhama nga 43600 sa kanë gjithsejt ndërtesat e mëdha. Rrok Camajn e takova në vendin e punës më 1996. Për disa minuta, nga kulmi i qiellgrryesit nr. 1, soditëm tokën. Para nesh u shfaq Manhattan-i, Statuja e Lirisë, urat e gjata të New York-ut, aeroporti Kennedy, New Jersey. Njerëzit poshtë të duken si miza, qenie fare të vogla, që mezi i shquan. Në kulmin e ndërtesës, Camaj më tregoi si operon makina e tij e madhe, pastaj u fut në njërën prej dy “shportave” të çelikta që shërbejnë për të zbritur ai dhe kolegu i tij poshtë, në katin 107, për të pastruar xhamat me dorë. Rrok Camaj humbi jetën në vendin e punës nga pasojat e akteve terroriste të 11 shtatorit 2001. Ai i përjetoi dy herë aktet e terroristëve në këtë qendër: më 1993, kur ata hodhën bombat në ndërtesa dhe herën e dytë, kur i sulmuan ato me aeroplanë më 11 shtator 2001. Në ditën tragjike ai shkoi me kohë në punë, si zakonisht. Në orën 9 e 15 minuta të mëngjesit, pasi ndërtesa ku punonte u godit me aeroplan, ai kishte telefonuar në shtëpi nga kati 105 dhe kishte biseduar me të shoqen, Katrinën. - Unë jam shëndosh e mirë. Në dorë të Zotit jemi e çka të bahet, le të bahet. Pa marrë parasysh se çdo të ndodhë, të lutem mos i shqetëso fëmijët! - ishin fjalët e fundit të Rrokut. Rrok Camaj ishte trim me plot kuptimin e fjalës, sepse punën e tij pak kush mund ta bënte. Pastrimi i dritareve të katit 107, ishte i mbarsur me rreziqe. Teksti i plotë - i botuar në libër NË KËTË KAPITULL MUND TË LEXONI: | |||