| |
Operacioni anglo - amerikan - një aventurë e
dështuar
Përmes këtij shkrimi për kapiten Thomas Mangelly synohet
pasqyrimi i një pjese të operacionit të spiunazhit anglo
- amerikan kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri,
në vitet 1949 - 1953. Kapiten Mangelly, njëri nga oficerët
e lartë të këtij operacioni, tregon për herë të parë se
si filloi operacioni; pse Anglia e Amerika vendosën të përmbysnin
regjimin komunist në Shqipëri; si e përgatiti CIA Mangelly-n
për të stërvitur shqiptarët që do të desantonin
në Shqipëri; cili ishte spiuni me “dy fytyra”,
Kim Philby; pse dështoi ky operacion etj.
Sapo u formua Komiteti “Shqipëria e lirë”, në Maltë filloi
përgatitja e grupeve të para diversante, kryesisht me anëtarë të Ballit
Kombëtar që do të shkonin në Shqipëri. Sipas
William Colb-it, ish shef i CIA-s, plani ishte që “nëse
do të mund të shkëputnim një vend nga blloku lindor,
kjo mund të niste procesin e shkëputjes edhe të vendeve
të tjera”. Nikolas Beathel, autor i librit “Tradhëtia
e madhe” shkruan: “Qeveritë amerikane dhe britanike
kishin miratuar në parim një operacion të fshehtë për
të shkëputur një vend të Evropës Lindore nga
blloku socialist. Për shumë arsye, për realizimin e këtij
objektivi, vendi i parë ishte zgjedhur Shqipëria. Ky ishte
vendi më i vogël, më i varfër e më i dobët
në radhën e vendeve të tjera socialiste. Në jug kufizohej
me Greqinë, aleate e Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve. Zyrtarisht,
Greqia, në bazë të ligjit mbretëror të Luftës
së Dytë Botërore, e konsideronte akoma Shqipërinë shtet
armik dhe ishte në gjendje lufte me të. Në veri dhe në lindje
kufizohet me Jugosllavinë. Sipas ekspertëve, marshalli Tito,
pas prishjes me bllokun socialist, do të mbante një qëndrim
neutral për çfarëdo lloj ndryshimi që mund të ndodhte
në Tiranë. Në këto rrethana, Shqipëria dukej
e izoluar dhe me mundësi të favorshme për të penetruar
nga ajri dhe nga deti prej ishullit të Maltës”.
Si do të realizohej ky plan anglo - amerikan?
Anglezët e dhanë idenë të parët. Ata do të angazhonin
në këtë mision oficerët e tyre që kishin qenë me
mision në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Anglo - amerikanët mendonin se destabilizimi i Shqipërisë do
të arrihej përmes aktiviteteve subversive të emigrantëve
shqiptarë në Itali e Greqi, të cilët, pasi të stërviteshin
në Maltë e në Gjermani, do të hidheshin në Shqipëri.
Në territorin shqiptar ata do të kryenin veprimtari spiunazhi.
Përmes radiolidhjeve do të njoftonin shtabin e CIA-s e të SIS-it
(Shërbimi Anglez i Zbulimit) se në ç’gjendje ishte
Shqipëria; se ku ishin bazat e saj ushtarake e policore; se cili
ishte disponimi i shqiptarëve ndaj regjimit; se si mund të organizohej
një kryengritje për të përmbysur diktaturën.
Teksti i plotë - i botuar në libër
NË KËTË KAPITULL MUND TË LEXONI:
Në këtë hotel vdiq Mit’hat Frashëri
Muharrem Hito: Katër herë me mision në Shqipëri
Petrit Butka: Të gjithë donin të futeshin në mision
Rexhë Berisha: dy vjet me mision në Shqipëri
Mitat Rumi: Si u plagosa në mision
Haki Tërpeza: Misioni ynë nuk ishte sakrificë e vogël
Ne luftuam për një Shqipëri të vërtetë
Olloman Sela, mes Sigurimit të Shtetit dhe idealeve kombëtare
| |