| |
Nga Ismail Kadare
Kur të bie në dorë një libër si “Shqiptarët
e Amerikës”, i Vehbi Bajramit, dhe pasi njihesh me të, është e
pashmangshme pyetja: përse me kaq vonesë vjen një libër
i tillë në kulturën shqiptare?
Natyrisht ka patur me dhjetëra libra me vlerë të mërgimtarëve,
ose për mërgimtarët, shënime biografike, kujtime,
trajtesa letraro filozofike, skicime historike, ditare, letërkëmbime,
lëndë arkivale etj. E megjithatë mund të thuhet
pa drojë se ky libër është përpjekja e parë serioze
dhe e suksesshme për të shkruar “librin total” për
një nga mërgatat më të mëdha të krejt
historisë shqiptare, mërgatën e Amerikës.
“ Libri total” është një synim i hershëm i
kulturës botërore. Në shkrimet e shenjta, e sidomos
në fillimet e Biblës e të “Besëlidhjes së re” dëshmohet
ky synim, me renditjen e emrave e të jetëshkrimit të shkurtër
të dhjetëra personazheve të rëndësishëm
e më pak të rëndësishëm. Në poezitë popullore
të disa vendeve, e sidomos në atë shqiptare, takohet
shpesh e njëjta dëndësi emrash e fatesh të qindra
njerëzve. Në muzeun e Holokaustit të hebrenjve në Jeruzalem,
në pjesën kushtuar fëmijëve, brenda një sfere
të errët që mishëron hapësirën e gjithësisë,
dëgjohen ditë e natë, pambarimisht emrat e dhjetëra
mijëra fëmijëve hebrenj të vrarë, nga të gjithë vendet
e nga të gjithë popujt.
Tablo të tilla mozaikale, që të kujtojnë vërtet
mizërinë e yjeve në qiell, janë të shumta
në letërsi, histori, filozofi, pikturë e publicistikë.
Librat e mëdhenj vijnë zakonisht në kohën e duhur.
Një tablo e përgjithshme e mërgatës shqiptare në Amerikë vështirë se
mund të shkruhej në fillim të shekullit XX, ngaqë ishte
tepër herët. Ajo s’mund të kryhej gjatë kohës
së diktaturës komuniste sepse do të ishte e helmuar
nga propaganda e kohës po të shkruhej në Shqipëri,
dhe nga nervozizmi kundër kësaj propagande, po të shkruhej
jashtë Shqipërisë.
Ajo është pjellë e natyrshme e fundit të shekullit
XX, fillim i XXI, kohë kur shumica dërmuese e shqiptarëve
e fituan më në fund lirinë dhe bashkë me lirinë,
kthjelltësinë e të menduarit.
Libri për mërgatën e Amerikës vjen në një kohë kur
shqiptarët kudo që jetojnë, kanë nevojë për
një ripërtëritje të vizionit të Atdheut, një vizion
të zhveshur nga propagandat kalimtare dhe nga shfytyrimet që i
kanë bërë patriotizmit regjimet politike.
Pas trandjeve psiqike të njëpasnjëshme, trandje të shkaktuara
nga zhgënjimet, nga varfëria, nga shembja e diktaturës
komuniste, nga dehja e lirisë dhe nga keqkuptimet për demokracinë,
shqiptarët më tepër se kurrë kanë nevojë sot
për një drejtpeshim shpirtëror si dhe për një rivlerësim
moral të gjithçkaje që kanë përjetuar. Ky
rivlerësim nuk ka të bëjë thjesht me historinë.
Ai i kapërcen dukshëm kufizimet e një diskutimi historik
ngaqë lidhet në radhë të parë me jetën
e tyre të sotme dhe me strategjinë e tyre për të ardhmen.
Epoka që jetojmë, si çdo epokë që vjen pas
thyerjeve të mëdha, është e mbushur sot me keqkuptime
dramatike. Një nga këto, ndoshta më themelori, ka të bëjë me
raportet e njeriut me atdheun, e njeriut me kombin e vet. Duke përfituar
nga shfytyrimet që i janë bërë këtij raporti,
prej propagandave shtetërore, një kundërpropagandë e
së njëjtës natyrë është duke u bërë këtë herë në një kah
të kundërt. Shkelje me këmbë e patriotizmit të shëndetshëm,
atij që s’ka asnjë lidhje me nacionalizmin agresiv,
përdhosja e idesë së Atdheut, të kombit, tallje
cinike me to, në emër të ideve kinse mbarënjerëzore,
janë paraqitur si shenja të njeriut modern, e njeriut të së ardhmes.
Në të vërtetë, jeta na ka treguar se ide të tilla
fshehin shpeshherë synime primitive dhe aksione kriminale. Për
të mos u zgjatur me shembuj të shumtë, mjafton të kujtojmë se
pas ideve të tilla përçmuese për kombin strehohej
strategjia e bolshevikëve për të cilët atdheu i
vërtetë ishte Rusia Sovjetike dhe ajo e talebanëve që mohonin
kombin në emër të panislamizmit.
Historia e diasporës shqiptare, një pjesë e së cilës
shpaloset fuqishëm në këtë libër të Vehbi
Bajramit, është pjesë e historisë së gjatë të popullit
shqiptar.
Rreth një shekull e gjysmë më parë, për fjalën “diasporë”,
e cila do të thotë “shpërndarje”, Jeronim de Rada,
përdori në shqip fjalët “gjaku i shprishur”.
Duke dendësuar dramaticitetin e fjalës, poeti i madh tregoi se ishte
ai vetë bir i diasporës dhe i dhimbjes së saj.
Tek të gjithë popujt ka patur zhvendosje, mërgim, diasporë,
por te ballkanasit ajo ka qenë veçanërisht tronditëse.
S’është e rastit që këngët më të mallëngjyeshme
për mërgimin, ato që kanë hyrë në historinë e
poezisë si “këngë të kurbetit”, janë të krijuara
prej shqiptarëve dhe grekëve.
Shkëputja nga atdheu, ikje pa kthim, ka patur gjithmonë, por në historinë shqiptare,
ikja e shekullit XV, në prag të natës otomane ka lënë gjurmë të pashlyeshme.
Ai mërgim ishte padyshim një zezonë e pafund, por për çudi,
brenda zisë ai bartte edhe një dritë të habitshme, një ëndërr
e një mall fisnikërues, që u kthye me kalimin e viteve në thesar
shpirtëror.
Arbëreshët e Italisë, shekull pas shekulli, u dhanë pas një pasioni
që dukej i pamundur: të ringjallnin në këngë, në valle
e në vjersha, atdheun e humbur.
Rrezatimi i këtij pasioni arrinte gjer në bregun e këtij atdheu,
që zyrtarisht nuk quhej më Shqipëri, por Perandori Otomane. Libri
i Vehbi Bajramit hapet me kronikën e ikjes së dytë të arbëreshëve:
mërgimi në Amerikë. Kjo ikje e re, në kushte të reja,
nisi 150 vjet më parë e ka vazhduar gjatë gjithë shekullit
XX.
Ky ishte mërgim pas një mërgimi, mall pas një malli.
Duke u nisur gjer në Amerikë, arbëreshët nuk po linin më atdheun
e tyre, por shëmbëllimin e tij, e megjithatë kishte diçka
të pandryshueshme, diçka prej diamanti në nostalgjinë e
tyre për atdheun e parë, Shqipërinë, që s’e kishin
parë kurrë as ata e as prindërit e tyre. Në këtë vazhdimësi
të atdheut, jashtë çdo prekjeje e jashtë çdo interesi,
në këtë dritëz gati fetare, dëshmohet etja e pafund
që ka shpirti njerëzor për modele e moralitet të lartë.
Autori i kësaj vepre e ka ndjerë me sa duket, se trupi i monumentit
nuk mund të kishte piedestal më të sigurt se historia e arbëreshëve,
ndaj i ka dhënë asaj vendin, peshën dhe mjeshtërinë e
nevojshme.
Kronika e mërgimit të shqiptarëve gjatë shekujve të robërisë turke,
ka qenë e ndërlikuar. Një kohë të gjatë zhvendosjet
janë bërë brendapërbrenda perandorisë: Stamboll, Sofje,
Bukuresht, Greqi veriore etj.Më pas shqiptarët nisën të dalin
nga kufijtë e saj për të mbërritur në shtetet evropiane,
e më vonë në Australi e SHBA e në krejt botën.
Në gjysmën e dytë të shekullit XX vazhduan ikjet prej dy
diktaturave komuniste: asaj të Jugosllavisë dhe asaj të Shqipërisë staliniste.
Tronditjet që kishin ndier shqiptarët, kur mbërrinin në New
York apo Boston prej shtetit të prapambetur turk iu shtuan tronditje të tjera,
ato që ndien njeriu kur ikën nga robëria për të dalë në liri.
Si epilog, si akt i fundit, janë ikjet e viteve të fundit, ato pas
shembjes së komunizmit, ku gjithçka ishte e ngatërruar e ishte
bërë lëmsh dhe ku malli për atdheun nuk ishte më zotërues,
por i përzier me gjithfarë ndjenjash tragjike: zhgënjim ndaj vendit
që u shkaktoi aq shumë vuajtje, mllef, dëshirë hakmarrjeje
e disa herë urrejtje. Kështu duket në sipërfaqe, por në thellësi,
ashtu si ndodh në detin që pavarësisht nga shkuma e dallgëve,
në thellësi mbetet i patrazuar, ashtu dhe midis stuhisë së ndjenjave
kundërthënëse, vjen ajo që quhet ora e shpirtit, kur dritëzimi
i largët shfaqet përsëri.
Kur zhytesh në leximin e këtij libri të gjerë, kur dalëngadalë,
përfshihesh prej tij, e kupton se sa e vështirë ka qenë për
autorin të mbushë këtë mozaik të madh, në të cilin
ka përherë vend për plotësim. Për kryerjen e misionit
që i ka vënë vetes, autori ka përdorur të gjitha mënyrat
e mundshme: shënimet biografike, reportazhin, portretin, intervistat, vështrimin
historik, anketën, kumtesën, kronikën festive, kronikën e
zezë etj. etj. Aty janë të gjithë, në radhë të pafundme,
që nga misionarët e mëdhenj që udhëheqin këtë mizëri
njerëzore, Konica, Noli, klerikët e të gjitha besimeve, shoqatat
e gazetat e mëdha që nga “Vatra” e “Dielli” e
gjer te “Illyria” e institucionet e sotme, intelektualët e shquar,
shkencëtarët, ushtarakët, zyrtarët, artistët, biznesmenët
etj. etj. Aty janë qindra të tjerë, të njohur e të panjohur,
secili me historinë e vet, me ëndrrat për një jetë më të mirë,
me shpresat që shpeshherë u njëmendësuan e së shumti
u thyen, shkurt me fatin e vet, të mirë ose të keq, që e
mbartën stinë pas stine e vit pas viti nëpër udhët e
jetës.
Pjesa e njerëzve pak të njohur ose të panjohur për publikun,
merr një peshë të veçantë në këtë libër.
Kur dëgjojmë fjalët mërgim, mërgatë, pamja e parë që na
vizatohet në mendje është një mori e madhe njerëzore.
Portreti i përbashkët i një mase të tillë është një nga
pjesët më të vështira në libra të këtij lloji.
Autori Vehbi Bajrami, ia ka dalë të kapërcejë këtë vështirësi.
Duke përdorur gjerësisht traditën e prozës së vjetër
gojore shqiptare dhe ballkanase, shembullin e arketipave të tillë si “njeriu
që zbriste në botën e poshtme”, “djali që mposhti
kuçedrën”, “Vajza me yll në ballë” etj.etj.
ai e përdori për të portretizuar mërgimtarët e thjeshte
e të panumërt shqiptarë. Kështu, krahas emrave të mëdhenj
të mërgatës, krahas një nobelisti për shëmbëll,
ne njihemi me një ushtar të Luftës së Parë Botërore
që sapo ka mbushur 100 vjeç, me gratë që në pamundësi
të ndonjë gjëje tjetër sollën në Amerikë byrekun
e Korçës, me njeriun që i qepi kostumin e dhëndërisë John
Kenedit Jr., me kuzhinierin që gatoi drekën për presidentin amerikan
kur ky bujti në restorantin shqiptar etj.
Krahas ngjarjeve të mëdha, me peshë kombëtare si krijimi
i kishës autoqefale, konferenca, mbledhje klubesh, aksione politike, mesazhe
për shtetin amerikan, ndihma për lirinë e Kosovës, etj.,
etj., ne njihemi me drama të përditshme, që zhvillohen në heshtje,
larg syve të kamerave: motër e vëlla që u dogjën nga
malli e vdiqën pa e parë dot njeri –tjetrin, të tjerë që në vend
të dashurisë u pushtuan nga e kundërta e saj dhe në vend
që t’i hapin derën vëllait të vuajtur që mbërrinte
nga larg ia mbyllën atë, njerëz krenarë që e ruajtën
gjuhën shqipe, të tjerë që e harruan e tani vuajnë si
pas një mëkati.
Në faqe të paharrueshme të librit ne njihemi me dëshira,
me brenga , me letra mallëngjyese. Ndër këto të fundit, më fisniket
janë amanetet e mërgimtarëve lidhur me varrimin. Në shumicën
e tyre, është e njëjta dëshirë: Më varrosni në katundin
tim, në Shqipërinë e largët.
Ky libër, ashtu siç u tha më lart, të kujton zhaurimën
e detit dhe valët e tij. Ato vijnë varg, njera pas tjetrës, si
valët e mërgimtarëve. Duke e lexuar këtë libër
jam i sigurt se shumë prej tyre do t’u lindë dëshira të marrin
lapsin e të shtojnë diçka në këtë kronikë madhështore.
Në ndodhtë kjo, atëherë mund të thuhet se ky libër
ia ka arritur plotësisht qëllimit.
Tiranë, prill 2003
| |