Nuk ka emra të shquar siç kanë kombet e tjerë", më thonin ata. Si për të ilustruar mendimin e tyre, më përmendnin disa emra biznesmenësh, kryesisht pronarë restorantesh, një apo dy profesorë, pak avokatë e doktorë, që i numëronin lehtësisht me gishtat e duarve dhe aq. Me një fjalë, sipas tyre, ishte e pamundur të "mbushej" një libër që do të pasqyronte sukseset e shqiptaro – amerikanëve. Ç’është e vërteta, në fillim e pata pak të vështirë. Nuk njihja njerëz që të kishin bërë ndonjë emër në kontinentin e ri, nuk kisha pika takimi me të shquarit... E qëllimi im ishte pikërisht ky: të pasqyroja anët e suksesshme të tyre, të shkruaja historinë e atyre që patën kapërcyer Atlantikun dhe patën bërë emër këtu. Po si dhe ku t’i gjeja? Ajo që e bënte punën time edhe më të vështirë ishte mungesa e gatishmërisë së disa personave për t’u bërë të njohur në mes bashkatdhetarëve të vet. Kishin bërë emër të madh në botën amerikane, e për ta kishin shkruar edhe gazetat e huaja, ndërsa para shqiptarëve donin të mbeteshin anonimë. Duhet thënë që në fillim se po të mos punoja në gazetën "Illyria", ky libër nuk do realizohej dot. Shumica e shkrimeve të këtij libri janë botuar në gazetën "Illyria" dhe, pjesa dërmuese e tyre, natyrisht me mjaft ndryshime, botohen në këtë libër. Nuk pretendoj se kam bërë ndonjë punë të përkryer por jam përpjekur që të jap maksimumin e mundshëm. E them me bindje se këto shkrime gjithësesi, nuk e paraqesin tërësisht historinë e shkuar e të tashme të diasporës shqiptare të Amerikës dhe "porta" mbetet e hapur edhe për të tjerët. Libri, siç e thotë në parathënie edhe shkrimtari i madh, Ismail Kadare, mund të plotësohet më tej, në mos nga unë, edhe nga dikush tjetër. Siç do të shihet edhe gjatë leximit të librit, shqiptarët e Amerikës, si asnjë diasporë tjetër shqiptare në botë, kanë mundur të ndihmojnë e të ndikojnë në fatet e atdheut. Këtë qëllim ata e arritën ngaqë ruajtën ndjenjat kombëtare dhe nuk e harruan atdheun e tyre, që për dhjetëra vjet kaloi nëpër tunele të errëta të historisë. Pa dyshim se në rilindjen e kombit tonë, në çlirimin dhe orientimin e tij perëndimor, ka kontributin e vet të jashtëzakonshëm edhe diaspora e Amerikës, një pjesë e së cilës pasqyrohet edhe në faqet e librit që keni në duar. Libri synon që të nxjerrë në pah idenë se shqiptarët, edhe pse larg atdheut të tyre, kanë qenë dhe mbeten të lidhur me të. Mbetet për detyrë e studiuesve tanë të shkencave shoqërore që të njohin dhe evidentojnë meritat e kësaj diaspore të fuqishme, ndihma e të cilës ka qenë dhe mbetet e pakrahasueshme për atdheun në momentet më të vështira që ka kaluar ai.
|
|||